Një makine në Tiranë dyshohet t’i jetë vendosur një bombë. Ngjarja po ndodh në zonën pranë Brrylit, në rrugën “Sitki Çiço”, afër Shkollës 9-Vjecare “Niket Dardani”, ku makina qëndron e parkuar. Ka qenë vetë pronari i automjetit tip Mercedes-Benz, shtetasi Sh. Rr., ai që ka njoftuar policinë, pasi fillimisht kishte konstatuar se automjetit të tij i kishin thyer xhamin e parmë dhe ia kishin hapur, duke menduar për një vjedhje.

Pas denoncimit nga i zoti i makinës me targa AA 877 GZ, policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar dy pako të dyshimta poshtë sediljes së parë të pasagjerit, të mbështjella me natriban dhe të lidhura me disa fije. Më pas në vendgjarje kanë mbërritur edhe forcat e xhenierëve të RENEA, ekspertët e të cilës kanë bërë shkëputjen e fijeve dhe kanë marrë në posedim dy pakot e dyshimta për t’i dërguar në laborator ku dhe do të bëhet ekzaminimi i saktë i tyre.