Ashtu siç ishte parashikuar, sekretari amerikan i shtetit John Kerry është takuar edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Takimi i kryediplomatit amerikan me kryeopozitarin shqiptar është zhvilluar në ambientet e Hotel “Rogner”, teksa Bashën e kanë shoqëruar edhe disa prej deputetëve demokratë, duke nisur me kreun e grupit parlamentar Edi Paloka, me nënkryetarin Edmond Spaho, si edhe deputetet Jorida Tabaku e Aldo Bumçi. Takimi mes sekretarit Kerry dhe Bashës dhe deputetëve u zhvillua për 30 minuta.
Pas takimit, Basha deklaroi: “E sigurova Sekretarin e Shtetit që Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë në krye të përpjekjeve për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve euroatlantike të demokracisë, shtetit ligjor dhe ashtu si në qeverisje edhe në opozitë PD mbetet e përkushtuar ndaj lëtyre vlerave jo vetëm me fjalë por edhe me vepra siç ishte rasti i dekriminalizimit dhe që nuk do kishte përfunduar me sukses pa mbështetjen e SHBA.”
Kreu i Partise Demokratike falenderoi sekretarin amerikan që në axhendën e tij përfshiu edhe takimin me opozitën dhe, siç u shpreh Basha, PD do të vazhdojë të kontribuojë për konsolidimin e vlerave demokratike në vend.





