Prokuroria e Tiranës ka bërë me dije  ditën e djeshme se ka sekuestruar  500 mijë euro të dy shtetasve suedezë,  shumë e dyshuar se buron nga  aktivitet kriminal i tyre. Të dhënat  flasin për një referim në Prokurori,  i bërë nga Drejtoria e Pastrimit të  Parave, e cila ka dyshime se shtetasit  suedezë O. J. dhe J. N. po  pastrojnë para në vendin tonë, para  që janë bllokuar në dy llogari bankare.

Sipas burimeve, saktësohet se  njëra kishte 300 mijë euro dhe tjetra  200 mijë. Nga veprimet dyshohet  se paratë silleshin në Shqipëri  nga Finlanda, përmes transaksioneve  në Kosovë dhe Serbi. Për këtë  arsye Prokuroria e Tiranës ka nisur  disa letër-porosi në këto vende,  për të parë nëse dy suedezët i justifikojnë  këto shuma parash.

Prokuroria  ka dyshime se këto para do  të riktheheshin në Suedi, pasi do  të justifikoheshin me ngritjen e bizneseve  fiktive në vendin tonë. Deri  në mbërritjen e këtyre informacioneve,  shuma prej 500 mijë eurosh do  të qëndrojë e bllokuar. Dy shtetasit  suedezë mësohet se kanë dorëzuar  në Gjykatën e Tiranës një kërkesë,  ku kërkojnë zhbllokimin e llogarive  bankare, pasi mendojnë se prokuroria  ka vepruar në mënyrë të paligjshme  me llogaritë e tyre bankare.