Ministri i bujqësisë Edmond Panariti ka reaguar ndaj akuzave të deputetit Erjon Braçe, i cili akuzoi Ministrinë e Bujqësisë se drejtohet nga njerëz të paaftë dhe të ligj. Panariti ka reaguar, duke theksuar se "sigurisht që ka vend për më shumë dhe ti dhe unë e dimë këtë." "Prandaj nuk do të lodhemi së enduri në fusha, sera, kanale, argjinatura, diga dhe hidrovore për të mbrojtur dhe zhvilluar bujqësinë aty. Herën e fundit që u pamë, ishim të dy mes ujërave në majë të argjinaturës së çare të Shkumbinit, – thekson ministri Panariti. – Vlerësoj falënderimin tënd ndaj qeverisë turke për eskavatorin modern krahëgjatë, më të mirin e flotës tonë për Bordin e Kullimit të Lushnjës, por dëshiroj të kujtoj vetëm një detaje, ai eskavator erdhi në Lushnjë, falë insistimit tim deri në bezdi ndaj mikut tim ministrit turk të bujqësisë, në zyrën e tij. Natyrisht nuk priste puna për formulim kërkesë, marrëveshje, nënshkrime protokollare e mënyra ceremoniale që zakonisht mbetën sirtareve, sepse kanalet duheshin hapur që të kullonte uji dhe ky eskavator për fat mbërriti në kohë rekord dhe e bëri punën… Ky vit pritet të jetë viti i investimeve më të mëdha në ujitje falë fondeve të Bankës Botërore, ku pjesën më të madhe i kalon Lushnjës… Reforma në sistemin e kullimit dhe vaditjes, tashme i kalon pushtetit vendor shumë përgjegjësi. Ky proces zhvendosjeje nuk është i lehtë për të gjithë ne dhe kërkon një farë kohë. Unë po bëj të pamundurën për të zbutur stresin e këtij transformimi gjigant dhe sidomos po kujdesem personalisht që profesionistët të gjejnë vendin e tyre brenda sistemit."
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, kishte akuzuar sot Ministrinë e Bujqësisë se drejtohet nga njerëz të paaftë dhe të ligj. Nëpërmjet një statusi në Facebook, Braçe akuzon Ministrinë e Bujqësisë se po shkatërron një drejtori që ka mirëmenaxhuar kullimin e ujitjen e ujërave në zonat e Lushnjës. "Ndërmarrja më e mirë në vend po shkatërrohet përfundimisht!! Ka një grusht njerëzish në Ministrinë e Bujqësisë, sa të paditur, sa të paaftë, sa abuzues, sa të ligj, por shumë të qatë në qëllime banale partie, që janë angazhuar çdo ditë të shkatërrojnë," – shkruan Braçe në Facebook.





