10 mars 2015 – Krimi brenda familjes ka goditur sërish, dhe këtë radhë në qendër të kryeqytetit. Një vrasje e trefishtë është regjistruar mëngjesin e sotëm rreth orës 05:00 në zonën e Laprakës në Tiranë, ku autori i krimit ka vrarë me armë zjarri gruan e tij, vjehrrën dhe më pas ka qëlluar mbi veten. E gjithë skena e krimit ka ndodhur pikërisht në sy të fëmijëve.
Sipas burimeve nga policia, mësohet se viktima kanë mbetur Ëngjëllushe Shaqiri, 65 vjeç, Izaura Rustemi, 35 vjeç dhe Emiljano Rustemi, ky i fundit i identifikuar si autori i ngjarjes.
Mësohet se Emiljano Rustemi pasi është zgjuar mëngjesin e sotëm kishte marrë armën e zjarrit tip kallashnikov dhe qëlloi mbi gruan, vjehrrën dhe më pas kreu vetëvrasje. E gjithë ngjarja makabër ka ndodhur në sytë e tre fëmijëve të çiftit bashkëshortor, i cili ishte në proces divorci. Vrasja ndodhi në shtëpinë e vjehrrës, ku ai qëndronte prej rreth pesë ditësh.
Bashkëshortja e vrarë Izaura, nuk pranonte të rikthehej në këtë lidhje bashkëshortore, por kishte pranuar që të strehonte ish-bashkëshortin e saj për pak kohë. Ajo jetonte tek shtëpia e nënës së saj, Ëngjëllushe Shaqirit, pasi çifti ishte në proces divorci. Po ashtu bëhet e ditur se çifti Rustemi kishin edhe tre fëmijë nga martesa e tyre.
Divorci i çiftit mësohet se kishte ardhur për shkak të dhunës së ushtruar nga autori i vrasjes Emiljano Rustemi ndaj bashkëshortes Izaura Rustemi, edhe ndaj tre fëmijëve. Për shkak të kësaj gjendjeje, bashkëshortja e tij kishte vendosur që të divorcoheshin.
Emiljano Rustemi ishte një person me precedentë penalë, pasi ishte dënuar në Greqi, me 1 vit e gjysmë burg. Rustemi ishte akuzuar për vjedhje, ndërkohë që ai kishte vetëm pesë ditë që ishte rikthyer në Shqipëri. Pasi kishte shlyer dënimin e tij, Rustemi ishte rikthyer në shtëpinë e vjehrrës më 5 mars, ku i kishte kërkuar kësaj të fundit dhe bashkëshortes që të strehohej për pak ditë.
Gjatë kohës së ngjarjes ishin të pranishëm edhe fëmijët e mitur të çiftit, të cilët aktualisht po trajtohen me një psikolog. Ndërkohë, ekspertët mjekoligjorë dhe forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





