Sot u nënshkrua marrëveshja midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë e Sigurimit të Cilësisë në Britaninë e Madhe, për vlerësimin dhe certifikimin e cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë. Marrëveshja u nënshkrua në prani te kryeministrit Edi Rama nga ministrja e arsimit dhe sportit Lindita Nikolla dhe përfaqësues i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë, një nga agjencitë më të njohura të fushës në Evropë e në botë. Qëllimi i marrëveshjes është kryerja e vlerësimit dhe certifikimit të cilësisë në mënyrë tërësore, të integruar dhe mbi të njëjtat standarde e procedura të të gjitha institucioneve të arsimit të lartë që veprojnë aktualisht në vend, me orientim nga standardet europiane e ndërkombëtare. Ne ceremonine e rastit, kryeministri Rama tha: "Në këndvështrimin tonë, fakti që sot kemi një bazë konkurrence të lirë e të barabartë është një risi që do të sjellë shumë më tepër cilësi në arsimin e lartë, do të sjell shumë më tepër mundësi për të ecur përpara, duke mësuar nga njëri-tjetri për efekt të konkurrencës. Një arsim shtetëror i nënës dhe një arsim privat i njerkës është pamja e një mënyre krejtësisht të shtrembër, për të kuptuar sesi në fakt këto janë dy anë të të njëjtës medalje dhe dy binarë për të njëjtin tren, për trenin e edukimit."
"Nga ana tjetër, agjencia do të na ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të brendshme të vetë institucioneve të arsimit të lartë, për cilësinë hulumtuese e vendimmarrëse të tyre, duke krijuar bazën që Agjencia jonë Kombëtare e Akreditimit të mund të marrë përgjegjësinë dhe të mund, pse jo, të bëhet pjesë, në një kohë të arsyeshme, e rrjetit të agjencive të akreditimit dhe të përfshihet ë regjistrin europian," – shtoi kryeministri Rama.





