Një person është arrestuar, një është shpallur në kërkim dhe tre të tjerë janë proceduar penalisht nga policia në Tiranë pasi u kapën në një lokal ku tregtohej dhe konsumohej lëndë narkotike kanabis.
Operacioni i policisë nisi pasi një prej të arrestuarve kishte denoncuar bashkëpuntorin e tij me të cilin ndanin pronësinë e lokalit, se e kishte kërcënuar për ti dhënë pronësinë e plotë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas kallëzimit të marrë nga shtetasi A. Ll., se një person, me të cilin kishte një biznes të përbashkët, në rrugën “Marie Kraja”, e kishte dhunuar dhe e kanoste për dhënie pasurie, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Complication”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi K. M., 27 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u proceduan penalisht shtetasit A. Ll., 24 vjeç, E. R., 34 vjeç, E. C., 33 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim shtetasi, A. M., 31 vjeç, banues në Tiranë.
“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. M., së bashku me shtetasin A. Ll., administronin së bashku një lokal, në rrugën “Marie Kraja”, të cilin e kishin vendosur në dispozicion për përdorimin e lëndëve narkotike. Shtetasi A. M., kishte kanosur bashkëpunëtorin e tij, shtetasin A. Ll., e kishte dhunuar dhe e shtrëngonte për dhënie pasurie, pasi ky i fundit konsumonte lëndë narkotike dhe nuk kryente pagesën për tëj. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit E. R., dhe E. C., pasi kanë pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk e kanë kallëzuar atë, në organet kompetente,” njoftoi policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e këtij lokali, shtetasit K. M., iu gjetën një përforcues grushti (dorezë metalike), një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sëbashku me tre aparate celulare dhe mjete që shërbejnë për konsumim të lëndëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.





