TIRANË, 24 shkurt 2013 –  Boshti Tiranë-Durrës (ky i fundit i njohur si qyteti “afër detit afër mbretit”) janë një “American Dream” për shqiptarë të zonave të varfra që migrojnë drejt atyre rajoneve ku mund të sigurojnë punë. 

Sipas statistikave të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, rajonet me oferta më të larta pune pranë zyrave të punësimit për vitin 2012 ishin Tirana me 3904 të tilla ose 25 për qind të totalit, Durrësi me 3876 oferta ose 24 për qind të totalit, kurse Vlora, Korça dhe Fieri kishin nga 10 për qind secili rajon.

Në nivel të ndërmjetëm qëndrojnë Berati, Lezha, Shkodra, Gjirokastra, Elbasani, kurse rajonet me më pak oferta ishin Dibra dhe Kukësi. Është po aq interesant fakti se cilët sektorë kanë nevojë për fuqi pune në këtë kohë krize.

Kështu, industria përpunuese ka thithur 5,102 të papunë (nga të cilët rreth 43 për qind i përkasin industrisë së tekstileve dhe veshjeve, industrisë së lëkurë-këpucëve me 21 për qind, industrisë përpunuese me 25 për qind dhe industrisë ushqimore me 11 për qind); kurse ndërtimi, ndonëse në krizë, ka kërkuar rreth 2,000 punësime; fusha e informimit dhe komunikimit me 1,859  punësime; tregtia me shumicë dhe pakicë me 1,029 punësime, etj.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/