DURRËS, 4 shtator 2014 –  Tashmë edhe në Shqipëri një futurizëm arkitektonik, banesë tejet luksoze që pretendon të jetë një planet i tërë?

Projekti i quajtur “Earth House” (Shtëpia Planeti Tokë), i sapobërë publik para disa ditësh, është shtëpi banimi për një familje, ndërtesë, e cila në pamje të parë, duket si e skalitur në truall.

Ajo është projektuar nga agjencia-lidere ndërkombëtare kreative me seli në Republikën e Kosovës “Molos Group”, themeluar në vitin 2001.

Në këto skica-foto (shih albumin) sheh një hapësirë ​​bashkëkohore jetese, rrethuar me bar të gjelbër të harlisur që pothuajse shkrihet me konstruksionet e ndërtesës, vë në dukje shtypi i huaj i specializuar, duke e vlerësuar së tepërmi projektin.

Autorët planifikojnë ndërtimin e saj diku midis Tiranës dhe Durrësit, larg zhurmës, limontisë dhe nxitimit të qytetit.

ARRATISJE NGA STRESI

“Planeti Tokë” është mishërim i arratisjes nga stresi dhe zhytje në qetësi.

Arkitektët e “Molos Group”-it shkruajnë për projektin e tyre:

“Shtëpia pozicionohet mu në mes natyrës, larg rrugëve të mbushura me njerëz të Tiranës. Shtëpia u projektua në mënyrë të tillë, që harmonizohet maksimalisht me natyrën, sepse ne besojmë se bukuria në arkitekturë është pasqyrim i bukurisë së natyrës”.

Nëse “Planeti Tokë” është e thënë që dikur të ndërtohet, pa dyshim do të duket një shtëpi tronditëse, e mahnitshme, thonë ekspertët ndërkombëtarë.

“Njëlloj sikur hobitët (hobbit – pjesëtar i një race imagjinare, i ngjashëm me njerëz në miniaturë dhe me këmbë leshatore, në tregimet e shkrimtarit për fëmijë J.R.R. Tolkien) të kishin një Bill Gates në lagjen e tyre, por më shumë mbresëlënës”, shkruhet në një recension.

GJETJET

Varësisht nga këndvështrimi, relievi i vendndodhjes të bën të dashurohesh me gjetjet e shumta arkitektonike dhe projektuese nga kënde të ndryshme.

Sipërfaqet e gjera reflektuese mundësojnë depërtimin e rrezeve të diellit në interier, gjë që i jep shtëpisë edhe më shumë harmoni natyrore dhe atraktivitet.

Ana e prapme e shtëpisë zgjerohet nga kodra për të mundësuar hyrjen në katin e sipërm, duke krijuar një gjeometri të ndërlikuar për të lidhur strukturën bashkëkohore me pjesën tjetër të mjedisit me një plan-vendosje interieri të hapur, që ofron një pamje të mrekullueshme.

Hyrja në shtëpi është zbukuruar me kalimin përmes një pellgu të vogël, që është vazhdim i trotuarit të shtruar dhe në këtë mënyrë vendoset një ton i qetë për banorët nga momenti që ata të bëjnë hapat e parë në shtëpi.

Interieri është shumë i hapur, meqë largësia e shtëpisë siguron privatësinë e nevojshme dhe ka ballkone të mëdha në të dy anët, nga ku mund të zbavitesh në ajrin e pastër.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/