Kryeministri në detyrë mbledh ministrat në orën 11:00. Edi Rama, një orë më pas në Vlorë me anëtarët e kabinetit të ri.Sot mbledhja e parë jozyrtare e Kryeministrit të ri me të gjithë ministrat e emëruar. Prezantohen Vali Bizhga dhe sekretari i Përgjithshëm. 

21 gusht 2013- Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, mbledh sot për herë të parë kabinetin e ri qeverisës në një takim jozyrtar. Mësohet se takimi, ku prezentë do të jenë dhe pesë ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të konsiderohet si mbledhje pune ku do të shkëmbehen ide dhe do të hidhen propozime për një bashkëpunim sa më të mirë të ministrave me Kryeministrin. Ajo do të zhvillohet pa praninë e mediave. Edhe pse jozyrtarisht, Rama kërkon të startojë qeverisjen e tij nga qyteti i Pavarësisë, duke hapur dhe simbolikisht historinë e 100-vjeçarit të dytë të shtetit shqiptar, sipas edhe filozofisë së fushatës zgjedhore dhe programit të PS, “Rilindja shqiptare.

AXHENDA 

Stafi i Kryeministrit të ri e ka mbajtur të fshehtë axhendën e mbledhjes së Ramës me ministrat e tij, por mësohet se në qendër të diskutimeve do të jetë programi i emergjencës së 300 ditëve të para, përmes të cilit qeveria e re kërkon të japë efektet e para të mirëqeverisjes. Për të dhënë efektet e para pozitive në publik, si nga ana strukturore e zbatimit të programit, ashtu dhe në anët e dukshme të qeverisjes, sidomos në shërbime, ministrat pritet të japin propozimet e tyre për ministritë që drejtojnë. Ministrat janë lajmëruar që të jenë në hotel “Nju Jork” në Ujin e Ftohtë në Vlorë pak para orës 12:00 e më pas ata do të futen në sallën e konferencave të hotelit me 3 yje, që plotëson të gjitha kërkesat e zhvillimit komod të një aktiviteti të tillë dyditor. Mbledhja do të ndërpritet nga dreka e përbashkët që do të shtrohet në hotel, e më pas, në orën 17:00, do të vijohet me seancën e pasdites. Ditën e dytë takimi do të nisë në orën 09:00, për t’u mbyllur diku nga mesdita. Më pas Rama do të vijojë me seleksionimin e stafit të zyrës së tij elektorale, ku do të zgjedhë 3 persona nga 12 që ka përzgjedhur komisioni që punoi për tri ditë në Vlorë. Ndërsa ministrat, me propozimet dhe shënimet e tyre, do të kthehen në qytetet e tyre për të nisur nga puna për të qenë të gatshëm në fillim të shtatorit.



PROGRAMI 

Në qendër të takimit do të jetë programi që grupi i punës që drejtohej nga Ilir Beqja nga PS dhe Edmond Haxhinasto nga LSI përgatitën për emergjencën e 300 ditëve të para, që nga vendosja e rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve e deri te konsolidimi i financave publike. Por, gjatë takimit, çdo ministër do të paraqesë platformën e tij me masat emergjente për ta bërë këtë dikaster sa më prezent edhe para publikut me shërbimet që do të duhet të jenë të ndjeshme. Përgatitja për këtë platformë ka qenë një nga porositë që Rama u dha ministrave në takimin e parë që zhvilloi me anëtarët e rinj të kabinetit të Partisë Socialiste. Rama ka premtuar se në krye të qeverisë do të zbatojë një kod etik të ministrave, i cili tashmë duket se është finalizuar dhe është bazuar në modelet më të mira të mirëqeverisjeve demokratike.



Mbledhja te hoteli në Ujin e Ftohtë 

Takimi dyditor i Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama me kabinetin e ri të emëruar prej tij do të zhvillohet në hotel “Nju Jork”, para tunelit në Ujin e Ftohtë në Vlorë. Ditë më parë janë prenotuar 30 dhoma për 19 ministrat, Kryeministrin dhe zv.kryeministrin, por dhe stafin ndihmës për këtë mbledhje. Edhe mbledhja dyditore që do të zhvillojë qeveria e re ende e pamandatuar, do të mbahet në sallën e konferencave të këtij hoteli, për të mos humbur kohë në lëvizje të ministrave në trafikun e rënduar të qytetit të Vlorës në këtë fundsezon turistik. Hotel “Nju Jork” është i kategorisë me 3 yje, i pozicionuar në pjesën më të bukur të gjirit të Vlorës, e njohur si zona e Ujit të Ftohtë. Ndodhet rreth 5 kilometra nga qendra e qytetit, në bashkimin e detit Adriatik me atë Jon, ndërsa çmimet e dhomave variojnë nga 50 deri në 75 euro.



Rama, takimi i parë në PS me Tahirin 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mbërriti dje në selinë rozë rreth orës 12:30, ndërsa i kishte dhënë fund pushimeve verore pak orë më parë, pasi ishte kthyer nga Rinasi. Në selinë e PS, pas disa javëve pushime, ai gjeti stafin e tij dhe zyrën e shtypit, ndërsa në lokalin “Austria” kishin mbetur pak njerëz që punojnë në zyrat e PS. Gjysmë ore më vonë, në zyrën e Ramën u duk Saimir Tahiri, ministri i Brendshëm i emëruar prej tij, i cili duket se ishte ministri i parë me të cilin Rama kërkoi të kontaktonte. Me dosje në dorë, Tahiri është drejtuar drejt zyrës së Ramës, ndërkohë nuk i është shmangur dot një grupi qytetarësh që kërkonin të takonin kryetarin. Tahiri ka qenë një nga anëtarët e kabinetit që i ka mbaruar shpejt pushimet, ndërsa pak ditë më parë u vizitua në selinë e PS dhe nga ambasadori i SHBA-ve Arvizu.



TAKIMI I PARË

Një ditë pas bërjes publik të emrave të ministrave të kabinetit të ri qeveritar, Rama mblodhi disa nga ministrat socialistë, nga të cilët kërkoi që të njihen me dikasterin që do të drejtojnë, problematikën që ai përmban dhe të mendojnë për stafet e tyre politike dhe profesionale. Që prej asaj dite vijoi një periudhë dyjavore pushimi, ndërsa data 21 gusht ishte vendosur që të jetë dita e nisjes nga puna.



FOTOJA

Rama është shprehur se fotografia zyrtare në zyrat e shtetit, përfshirë dhe atë të qeverisë, do të jetë Ismail Qemali, njeriu që formoi shtetin e parë shqiptar. “Si fillim do t’i propozoja qysh sot qeverisë që ta ndryshojë VKM-në, për t’i dhënë fund banalizimit të skajshëm që është bërë me këtë normë, të respektuar sipas qejfit apo sipas koniunkturave politike me fotografinë e Presidentit të radhës. Dhe për të vendosur njëherë e mirë dhe përgjithmonë në vend të portretit të radhës, portretin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit”, ka propozuar Rama që në janar të vitit 2012.



SHTËPIA

Mësohet se një nga idetë e Kryeministrit të zgjedhur Edi Rama ishte që ky takimi me të gjithë ministrat e kabinetit të tij në Vlorë të zhvillohej në Shtëpinë muze të Pavarësisë, aty ku kishte nisur historia moderne shqiptare, por ambientet e saj të ngushta janë të pamjaftueshme për gjithë kabinetin e ri. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë nëntorin e kaluar, Kryeministri Berisha në mënyrë simbolike zhvilloi një mbledhje qeverie në kujtim të mbledhjes së drejtuar nga Ismail Qemali e ku u vendos pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912. Në mungesë të ambientit të nevojshëm në shtëpinë muze, takimi do të bëhet në një nga hotelet e njohura në Ujin e Ftohtë.

/panorama/