Në kuadrin e 125-vjetorit të hapjes së Shkollës së Vashave në Korçë, në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë, u prezantuan shkollat shqiptaro-amerikane të hapura përgjatë viteve 1891-1933 në një ekspozitë të pasur  me foto, literaturë e dokumenta, shumica e të cilave publikohen për herë të parë. Ekspozita është  frut i një pune disavjeçare plot pasion, profesionalizëm e përkushtim nga Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë, ndihmuar nga  Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante, Muzeu Historik Kombëtar, Arkivi Qëndror i Shtetit dhe Biblioteka Kombëtare.

Shpëtim Sala, kryetar i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, njëherësh dhe një nga protoganistët dhe organizatorët e kësaj ekspozite interesante, na shpjegon punën plot pasion, durim e këmbëngulje të koleksionistëve shqiptarë e miqve të tyre  për prezantimin e shkollave shqiptaro-amerikane në fillesat e tyre. Një punë vullnetare, plot seriozitet, e pasur me botime dhe burime arkivore që vlerëson kontributet e shtetit amerikan, komunitetit shqiptaro-amerikan, Bordit Amerikan të Misioneve, Kryqit të Kuq, organizatave humanitare dhe personaliteteve amerikane që kanë punuar e jetuar në Shqipëri.

Në fakt, ekspozita, nga pasuria dhe shumëllojshmëria e materialeve, e kalonte cakun e një ekspozite.  Ajo shumë mirë mund të shndrrohej në një muzeum të përhershëm në një nga institucionet tona arsimore, që bart trashëgëminë e shkollave shqiptaro-amerikane. Në eksponatet e saj gjeje thesare të këtyre shkollave, të paraqitura me thjeshtësi, kulturë e dizajn koherent me ambientin. Krahas botimeve e fotove origjinale të skanuara e printuara me kujdes, ishin ekspozuar historikë të shkurtër të shkollave dhe drejtuesve të tyre, dëftesa, fletore, blloqe shënimesh, literaturë studimore mbi historikun e këtyre shkollave, banka, sende dhe mjete mësimore etj.  Pra, për herë të parë, jepet në format të plotë historiku i këtyre shkollave, në të gjithë dimesionet e realitetin që i ka karakterizuar, bashkë me vështirësitë e shumta. Në të është pasqyruar gjerësisht veprimtaria e shkollave shqiptaro-amerikane, drejtuesve, personelit e nxënsve të tyre. Janë të ekspozuar Bordi Amerikan i Misioneve, kontributi i tij në hapjen e shkollave të para shqipe, kontributi  i Kryqit të Kuq të të rinjve amerikanë në hapjen e shkollave shqipe, Shkolla e Vashave në Korçë, e hapur në vitin 1891, Shkolla Qytetase në Korçë, hapur nga cifti Kenedi, Shkolla Teknike në Tiranë, hapur nga Harry Fullc, në vitin 1921, Instituti “Kyria” në Kodër Kamëz, hapur në vitin 1922 nga P. Qiriazi, Instituti Bujqësor Shqiptaro-Amerikan në Malin e Robit, në Kavajë, hapur nga T. Erikson në vitin 1926, sheshi i lodrave në Durrës, etj.

Aktiviteti i misionarëve amerikanë të bamirësisë dhe arsimit u shtri në gjithë qytetet e vendit, nga Shkodra në Tiranë, nga Durrësi në Kavajë, nga Vlora në Korçë. Gjithkund ndihej dora e këtyre njerëzve përtej oqeanit për të ndihmuar shqiptarët në rrugën e tyre të arësimimit e dijes.

Ndërkohë nxënësit që përfunduan këto shkolla shërbyen në çdo sektor e fushë të shtetit shqiptar. Nuk mund të përfytyrohet sot kontributi, roli dhe shembulli i këtyre djemve dhe vajzave të edukuar nga personeli shqiptaro-amerikan në prosperioritetin e Shqipërisë së asaj kohe, ku mbretëronte varfëria, injoranca, analfabetizmi dhe epidemitë. Ishin këta të rinj që në një farë mase morën përsipër fatet e vendit, në zhvillimin e arësimimin e tij, por dhe organizimin e strukturave shtetërore, në saje të shpirtit praktik e nivelit teorik të përfituar.  Nga këto shkolla dolën dhe drejtues të LANÇ, por që ndihmuan edhe në rimëkëmbjen e Shqipërisë së pasluftës.

Në përfundim mund të themi se, eskpozita ka një mision e qëllim të madh për të memorizuar vlerat dhe kontributin e shkollave shqiptaro-amerikane në zhvillimin e shoqërisë shqiptare, arsimimin dhe kultivimin e dijes, sjelljes dhe edukatës qytetare. Këto vlera janë mohuar e anatemuar sistematikisht nga diktatura.  Personeli dhe nxënësit e këtyre shkollave janë përndjekur dhe denigruar nga sistemi komunist, duke i etiketuar ata borgjezë, spiunë të amerikanëve, tradhëtarë, etj.  Ndërsa nga faktet, shembujt, studimet dhe puna e kryer në dobi të vendit, ata janë vlerë kombëtare, profesionistë të zotë e  pasuri e pazëvendësueshme. Ekspozita është një homazh për gjithë personelin që mësoi, punoi dhe u edukua në këto shkolla, dhe do qëndrojë e hapur nga data 7 deri më 11 mars 2016, nga ora 10:00 deri 17:00.

Sh. K.