Gjatë orëve të pasdites, policia dhe ekspertët mjekoligjore kanë kryer hetime dhe verifikime intensive për identifikimin e kufomës së gjetur në zonën e Dajtit, në vendin e quajtur Zabel. Nga këqyrja e kufomës, e cila ishte në fazën e dekompozimit, mjekët ligjorë kanë përcaktuar se, viktima është qëlluar me dy plumba, një prej të cilëve në kokë. Koha e varrosjes dyshohet rreth gjashte muaj më parë, kohë në të cilën edhe është vrarë.
Nga verifikimet e para, policia ende nuk ka mundur të identifikojë se kujt i përket kufoma. I pari që është verifikuar nga lista e personave të zhdukur ka qenë Enver Stafuka, por gjatësia e kufomës ishte e ndryshme nga ajo e Stafukës. U verifikua gjithashtu edhe një tjetër i zhdukur, Renato Hamza nga Elbasani, por edhe ky i fundit nuk rezulton të ketë ngjashmëri me kufomën. Në të tilla kushte, policia ka ngritur dyshime, që viktima mund t’i përkasë edhe ndonjë emigranti, pasi në gjashte muajt e fundit, policia ka në listë vetëm dy persona të zhdukur, Enver Stafukën dhe Renato Hamzën, të cilët nuk kishin të përbashkëta me kufomën e gjetur.
Marrë nga Top Channel