Një 52­ vjeçar është shpallur fajtor nga Gjykata e Tiranës për “ngacmim seksual” dhe “dhunim të banesës” së fqinjës së tij të martuar.

Sipas Gjykatës, i pandehuri Fatmir S. i ka hyrë pa leje në shtëpi komshies M.P., në një moment kur ajo nuk e kishte bashkëshortin dhe pasi e ka prekur në pjesë intime, i ka kërkuar marrëdhënie seksuale.

Refuzimi i gruas e ka larguar, por të nesërmen ai i ka përsëritur ngacmimet në oborrin e përbashkët të banesave të tyre.

Referuar provave, Gjykata e ka vlerësuar si të provuar faktin se i pandehuri ka hyrë në banesën e shtetases M.P. pa dëshirën e saj, duke dhunuar banesën në këtë formë, si edhe e ka ngacmuar seksualisht atë.

Fatmir S. u dënua me 10 muaj burg për kryerjen e dy veprave penale, por ai nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli.

Në të njëjtin vendim, të shpallur pak ditë më parë, Gjykata pezulloi dënimin e tij me burg, duke e lënë në liri me kusht për një periudhë 18­ mujore.

Ndërkohë avokati mbrojtës i të pandehurit tha se nuk kishte prova që të vërtetonin ngacmimin seksual. Sipas tij, klienti i tij ka veç një testikul dhe është invalid.