Këshilli i Lartë i Drejtësisë u ka shpërndarë gjyqtarëve formularin që duhet plotësuar në kuadër të zbatimit të ligjit për dekriminalizimin. Formulari është miratuar pak kohë më parë nga Kuvendi dhe duhet të dorëzohet i plotësuar brenda datës 4 maj.
Në një njoftim të KLD thuhet se të gjithë gjyqtarët e gjykatave të rretheve gjyqësore, gjykatave të shkallëve të para administrative, Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Gjykatave të Apeleve, Gjykatës Administrative të Apelit, Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda që, duke filluar nga data 29.03.2016 dhe në përputhje me afatet ligjore të procesit të vetëdeklarimit, të depozitojnë personalisht pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, formularin e vetëdeklarimit të shoqëruar me një kopje të një dokumenti identifikues.
Pyetja e parë në formular ka të bëjë me çështjen nëse ndonjëri prej anëtarëve të gjyqësorit ka qenë i dënuar më parë me vendim të formës së prerë dhe arsyen përse është dënuar. Formulari ka tetë pyetje kryesore dhe nënpyetje, ku gjyqtarëve u kërkohet që të japin sqarime nëse janë të përfshirë në ndonjë nga kategoritë e ndjekjes penale.





