Gjatë një mbledhje e pjesëshme e Shoqatës së Bashkive, ku prezent kanë qenë vetëm krerët e atyre njësive vendore që i përkasin Partisë Demokratike, qeveria është akuzuar për diskriminim për sa i përket ndarjes së fondeve nëpërmjet vendimeve të dhëna nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve. Ky qëndrim i tyre vjen pas mbledhjes së datës 10 mars të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, ku, nga 61 bashki gjithsej që ka vendi, vetëm tre bashki të djathta kanë përfituar fonde, të cilat janë edhe fare minimale.
Referuar vendimeve të KZHR, rezulton se, në total, janë në dispozicion 3 miliardë 900 milionë lekë, që do të përdoren për financimin e projekteve të njësive vendore. Ndërkohë, mësohet se tre bashkitë e drejtuara nga përfaqësues të Partisë Demokratike kanë përfituar nga një projekt në vlerë minimale. Këto janë Shkodra, Lezha dhe Devolli, dhe finanicmi për të trija këto njësi sëbashku nuk arrin as 1 milionë dollarë.
KZHR, në mbledhjen e 10 marsit, kishte miratuar 45 projekte, dhe vetëm në tre projekte përfitues ishin bashkitë e djathta. Mësohet se bashkitë e djathta kishin përgatitur dhe dërgua për financim në qeveri mbi 50 projekt-propozime. "Këto financime nuk sigurojnë balancim dhe harmonizim të drejtë të shpërndarjes së investimeve rajonale dhe kombëtare. Shkodra, Lezha dhe Kukësi janë zonat që përfitojnë më pak se çdo tjetër investime," thuhet në reagimin kryebashkiakëve të djathtë. Më tej theksohet se “shumë mirë që disa bashkive të mazhorancës u janë financuar më shumë se një projekt, po pse kjo nuk ka ndodhur te bashkitë e djathta."
Duke shprehur zhgënjimin për këtë lloj ndarjeje, Shoqata e Bashkive dhe kryebashkiakët e djathtë kërkojnë qeverisë dhe kryeministrit të rishikojë projektet e bashkive dhe t’i mbështesë ato sipas kritereve teknike dhe jo sipas kriterit partiak.





