Një ditë pasi katër krerë prokurorishë dhanë dorëheqjen, kreu i organit të akuzës Adriatik Llalla flet për një rifreskim të stafit drejtues. Llalla është shprehur se ndryshime në disa nivele të Prokurorisë vijnë si nevojë për përmirësim të rezultateve. Disa prej tyre, ka vijuar kryeprokurori ndodhen prej vitesh në poste drejtuese.

"Gjithashtu, riformatim pritet të ketë edhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Riorganizimi do të realizohet në disa faza, ku fillimisht po shqyrtohen mundësitë në ato njësi të Prokurorisë, në të cilat vlerësohet se ka nevojë për ndërhyrje në një kohë sa më të shpejtë. Prokuroria e Përgjithshme, pas analizave vjetore të zhvilluara në fillim të vitit 2016, ka krijuar një pamje të qartë mbi problematikat e aktivitetit. Në përfundim, është vlerësuar si domosdoshmëri rifreskimi i një pjese të strukturës së Prokurorisë, proces i cili pritet të realizohet periodikisht në ditët dhe javët e ardhshme," – është shprehur Llalla.

Një ditë më parë, krerët e prokurorisë së Tropojës, Dibrës, Përmetit dhe Lezhës dhanë menjëherë dorëheqjen nga postet e tyre.