Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronës aktualisht është tërësisht i bllokuar. Qeveria deklaroi se do të niste zbatimin e ligjit të ri të pronave përpara se Këshilli i Evropës të shprehej zyrtarisht mbi të dhe para se Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg të merrte në shqyrtim dosjet e shumta të pronarëve, që janë depozituar në vite. Kreu i Agjencisë së Trajtimit të Pronës, pati deklaruar në dhjetor se ligji do të hynte në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

Sipas saj, fakti që Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës mbajti qëndrim pozitiv ndaj ligjit të ri për trajtimin e pronës fliste për premisat e një qëndrimi po ashtu pozitiv nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Por, për zbatimin e ligjit të ri kërkohet edhe miratimi i një serë aktesh nënligjore, vendime të Këshillit të Ministrave, që duhej të ishin gati. Deri tani, qeveria shqiptare nuk ka miratuar asnjë akt të tillë. Me sa duket, qeveria e ka marrë disi me ngadalë këtë punë pasi vetë ligji është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese. Kështu që ka kohë deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë, procesi i kthimit dhe kompensimit të pronës nuk merr fund.