Gjatë takimit me mediat, pas bisedës me kryeparlamentarin Ilir Meta, eurodeputeti Eduard Kukan është pyetur edhe rreth takimit që ai pati me ish-kryeministrin Sali Berisha. Pavarësisht se pas takimit, as Kukan dhe as Berisha nuk u prononcuan për mediat, faksi se ata nuk u munduan aspak ta fshehin takimin ka zgjuar kuriozitetin e gazetarëve. Eurodeputeti Kukan tha se ai nuk mund ta harronte Berishën, pavarësisht se ai mund të mos ishte më kryeministër apo kryetar partie.
“Unë e kuptoj se çfarë doni të thoni me pyetjen tuaj, – tha eurodeputeti Kukan. – Më duhet të them se arsyeja se përse u takova me Berishën ishte se, kur ai ishte kryeministër i vendit, jemi takuar shumë shpesh. Dhe tani që ai nuk është kreu i politikës, unë nuk e kam harruar atë. Unë doja që të takoheshim, të bisedonim, të dëgjonim njëri-tjetrin. Por, gjithsesi, unë nxjerr konkluzionet e mia. Kur kam një mik, nuk dua ta harroj.”





