TIRANE, 18 korrik 2013 – Një e moshuar është plagosur rëndë paraditen e sotme në kryeqytet, pasi është përplasur nga një automjet teksa kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Katedrales, kur automjeti tip ‘BMW X5’ me targë AA008AY ka përplasur 65-vjeçaren Natasha Pirluri.
Nga vendi i ngjarjes, gazetari i “News24” Spartak Koka bëri të ditur se gruaja ka qëndruar për rreth 20 minuta e shtrirë në rrugë dhe pa ndihmë mjekësore, pasi autoambulanca është vonuar dhe policia nuk ka lejuar transportimin e saj me makina të rastit, për të mos i shkaktuar dëmtime të tjera. Në momentin e aksidentit, në Tiranë ka pasur një trafik të rënduar.
Momentalisht gruaja ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë policia ka shoqëruar drejtuesin e makinës dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë.
(burimi:BalkanWeb)





