TIRANË, 11 shkurt 2013 – Mbrëmjen e sotme, dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë tentuar të grabisin një fabrikë prodhimesh kozmetike në kryeqytet.

Ngjarja është shënuar në fabrikën e cila ndodhet në afërsi të xhamisë në Sauk. Nga të dhënat e fundit, raportohet se personat në fjalë kanë hyrë në brendësi të fabrikës, ndërsa gjendeshin vetëm punëtoret. Planet e tyre për ta grabitur fabrikën e produkteve kozmetike "Health & Beauty Care" të ndodhur pranë xhamisë në qendër të Saukut, kanë mbetur thjesht tentativë pasi policia e njoftuar në rrugë operative, së bashku me forcat RENEA rrethoi godinën duke vënë kështu nën tension dy autorët.

Në këto kushte, ata kanë lidhur 11 prej punonjësve të kësaj kompanie, për t'i përdorur si peng gjatë negociatave me policinë. Vetëm pas 1 ore është mundësuar lirimi i tyre, por jo kapja e autorëve

Tashmë uiformat blu kanë shpallur në kërkim të dy grabitësit, që janë larguar nga shkallët e pasme të fabrikës së produkteve kozmetike, në drejtim të Farkës së Vogël.