Bordi i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, me aksionerë Bashkinë e Tiranës, Bashkinë e Kamzës dhe Bashkinë e Vorës, zhvilloi sot një mbledhje emergjente për të verifikuar dhe diskutuar në detaje të gjithë situatën problematike të krijuar ditët e fundit, pas shqetësimeve dhe reagimeve të shumta të qytetarëve lidhur me mbifaturimin e ujit të pijshëm. Në mbledhje u vendos ngritja e një komisioni të posaçëm, i cili do të shqyrtojë me përparësi të gjitha rastet e mbifaturimeve të ujit të pijshëm në të katër zonat ku janë hasur problemet, si dhe të gjithë situatën e performancës së UKT në këto pesë muaj.
UKT e ka ndjekur me shqetësim problemin e mbifaturimeve në një zonë të kufizuar të kryeqytetit për disa qindra abonentë, kryesisht në zonën e lagjes Kombinat dhe në rrugën e Kavajës. “Problemi me mbifaturimet është evidentuar pas printimit të faturave të ujit për muajin janar dhe menjëherë më pas është nisur verifikimi në terren. Nga verifikimet e bëra në 1020 raste është konstatuar se ka patur mbifaturime në total për 36980 metër kub ujë, ose rreth 1.1 për qind e totalit prej 3 milionë e 300 mijë metër kub ujë të faturuar për Tiranën në muajin janar 2016 dhe subjektet që janë mbifaturuar janë të pajisur me sahatë matës dhe kryesisht janë farmaci, dyqane rrobash apo farmaci,” – thuhet në njoftimin e UKT.
Gjithashtu, Bordi i UKT vendosi të lirojë Neritan Gjojdeshin nga detyra e drejtorit te përgjithshëm të UKT dhe ka emëruar në këtë detyrë Redi Mollën, i cili ka drejtuar më parë Drejtorinë e Përgjithshme të Punëtorëve të Qytetit Nr. 2, Tiranë.





