Ministri i drejtësisë Ylli Manjani priti sot në një takim Christos Giakomopoulos, drejtorin për të drejtat e djeriut në Drejtorinë e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit, pranë Këshillit të Europës. Gjatë këtij takimi, ndër të tjera, Giakoumopoulos i ka shprehur sërish ministrit Manjani mbështetjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për ligjin e ri të kthimit dhe kompensimit të pronës pronarëve të shpronësuar dhe inkurajon implementimin dhe vijimin e zbatimit të këtij ligji në vendin tonë.
Ministri Manjani ka bërë me dije se nga nisja e zbatimit të këtij ligji është shënuar një numër i madh qytetarësh, të cilët kanë aplikuar sipas kritereve të parashikuara nga ky ligj i ri. Ai theksoi gjithashtu se ky ligj është zgjidhja më optimale në kushtet kur duhet parë me objektivitet edhe shmangia e faturës së lartë financiare që do të mbarte për vite me radhë pjesa tjetër e popullsisë.
Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe mbi bashkëpunimin e deritanishëm me Këshillin e Europës, i cili e ka asistuar ndër vite sistemin e drejtësisë.





