Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi për mediat, i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike mbi gjendjen e shëndetësisë. “Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë opinionin publik se është e vertetë që gjendja e spitaleve sot në vend nuk është ajo që do të dëshironim të ishte,” – thuhet në njoftimin e lëshuar, duke theksuar se “situata mjerane që trashëguam nga keqmenaxhimi dhe keqqeverisja për 20 e kusur vjet me rradhë, nuk mund të zhbëhen sa hap e mbyll sytë në vetëm dy vjet.”

“Në vetëm dy vjet e gjysëm kemi arritur që, duke filluar nga ky vit, mjekun e familjes ta vëmë në dispozicion të njerëzve, pa pagesë,” – thekson Ministria e Shëndetësisë. Në njoftim për shtyp renditen edhe një sërë investime dhe përmirësimesh në infrastrukturën e spitaleve të ndryshme të vendit.

Në këtë pikë, Ministria e Shëndetësisë thekson se Partia Demokratike, “bashkë me aktin e denoncimit, të merrte përsipër përpara shqiptarëve edhe përgjegjësinë për gjendjen e mjeruar në të cilën i kanë lënë për 20 e kusur vjet spitalet e vendit.”