Në përgjigje të deklaratës së deputetes së Partisë Demokratike, Albina Dede, lidhur me gjendjen në spitalin e Laçit, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë, sërish, opinionin publik se është e vertetë që gjendja e spitaleve sot në vend nuk është ajo që do të dëshironim të ishte, pavarësisht përpjekjeve, mundit dhe përkushtimit tonë, dhe se sigurisht, mbetet ende shumë për të bërë. Por, pavarësisht shlyerjes në kohë rekord të 40 milionë dollarë borxheve që trashëguam, ngritjes së kantierit të shëndetësisë dhe nisjen e reformës më të guximshme që është ndërmarrë ndonjëherë në sektorin e shëndetësisë shqiptare, situata mjerane që trashëguam nga keqmenaxhimi dhe keqqeverisja për 20 e kusur vjet me rradhë, nuk mund të zhbëhen sa hap e mbyll sytë në vetëm dy vjet.
"Spitali i Laçit dhe shumë prej spitaleve të tjera në vend janë në gjendje të mjerueshme tërësisht për faj të PD, ndërkohë që ne po ndërtojmë përditë, të vendosur në rrugën tonë për reformimin rrënjësor të shëndetësisë. Ajo çfarë kemi bërë në këto dy vjet e gjysëm për Shërbimin Spitalor, është lehtësisht e prekshme dhe e verifikueshme për këdo. Deri në fund të vitit 2015, kemi investuar 1.2 miliardë lekë në sistemin spitalor në vend," – thuhet ne njoftimin e publikuar nga Ministria e Shendetesise.





