Ministrja e arsimit dhe sportit Lindita Nikolla ka pranuar nivelin e ulët profesional të mësuesve në sistemin parauniversitar. Pas rezultateve aspak të kënaqshme të testimit të tyre, ministrja Nikolla ka bërë përgjegjës edhe shkollat e larta.
Gjatë një konference për zhvillimin profesional, ministrja Nikolla tregoi se kalueshmëria e mësuesve të rinj në testimin e organiuar ishte e ulët. Sa i përket kualifikimit të mësuesve, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka pezulluar 51 agjenci private që kryenin këtë proces. Sipas ministres Nikolla, “këta operatorë nuk respektonin standardet dhe në shumë raste funksiononin për shitje kreditesh.”
Në mbyllje të konferencës, ministrja Nikolla ka njoftuar se nesër, më 25 mars, Ministria e Arsimit dhe Sportit do të përcaktojë skemën e re të kualifikimit të mësuesve jocilësorë. Pritet që kualifikimi të kryhet pranë universiteteve, publike dhe private, përkundrejt pagesës.





