Kreu i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ka akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj se nuk po u vinte në ndihmë qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë hasur probleme për shkak të motit të keq.

“Në Kombinat, ka rënë një pemë mbi një automjet, ndërsa një tjetër pemë ka bllokuar aksin nacional Tiranë – Elbasan, por strukturat e Bashkisë nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të normalizuar situatën, – ka deklaruar Leonard Olli. – Institucionet e shtetit dhe drejtuesit e tyre, si gjithmonë me pushime, duke i braktisur qytetarët.”

“Gjithçka në kolaps, me qindra automjete të bllokuara, – ka vijuar deklaratën e tij kreu i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës. – Edhe pse reshjet janë në parametra normale, shteti është dorëzuar dhe qytetarët janë lënë në dorë të motit dhe në mëshirë te fatit. E kur kjo paaftësi dhe neglizhencë vrastare shfaqet kaq arrogante dhe cinike në kryeqytet, çdokush kupton lehtësisht se çfarë ndodh me pjesën tjetër të territorit të vendit. Qytetarët vijojnë të mbeten me sytë nga qielli dhe t’i luten Zotit t’i ndihmojë, pasi ata që u besuan me votë për të drejtuar qeverinë dhe Bashkinë janë të fokusuar vetëm te mirëqenia personale.”