Qytetarët i janë përgjigjur sot thirrjes së Bashkisë së Tiranës, duke u bërë pjesë e aksionit vullnetar “Të pastrojmë Tiranën”. Aksioni nisi në orët e para të mëngjesit dhe u përqendrua kryesisht në pikat më problematike të raportuara më parë nga administratorët e njësive administrative. Pjesë e këtij aksioni u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Më vjen mirë që traditën që nisëm vitin e kaluar, po e vazhdojmë edhe këtë vit. Nesër është një ditë feste, “Dita e Verës”, por si në çdo datë të shënuar, është e rëndësishme që ajo të na e gjejë shtëpinë pastër. Siç secili prej nesh pastron shtëpinë e vet, ashtu edhe Tirana e madhe duhet të funksionojë si një familje, që e pastron shtëpinë me themeli përpara se të hyjmë në një stinë të re,” – tha kryebashkiaku Veliaj.
Ai theksoi se, pavarësisht punës së përditshme të ndërmarrjeve të Bashkisë, Tirana ka nevojë për ndihmën e çdo qytetari për të qenë e pastër, qoftë duke u bërë pjesë e aksioneve të tilla, qoftë duke u ndërgjegjësuar për ta mbajtur ambientin pastër.





