Të rinjtë dhe skuadrat sportive të futbollit, volejbollit, basketbollit apo tenisit do kenë shumë shpejt në dispozicion një qendër të re me fusha sportive dhe rekreacioni tërësisht moderne. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndoqi nga afër punimet që po kryhen në ndërtimin e Akademisë së Futbollit, në Njësinë Administrative të Petrelës, ku edhe u njoh me detajet e projektit, i cili do të ofrojë, ndërmjet të tjerave, tre fusha të mëdha futbolli, disa fusha të tjera për lojërat me dorë dhe një pishinë olimpike për notarët.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi punën dhe qëllimin e investitorëve në ndërtimin e këtij kompleksi sportiv, pasi, sipas tij, kjo përputhet edhe me filozofinë e Bashkisë për të mbështetur masivizimin e sportit. "Është fatkeqësi që sot 20% e fëmijëve, por edhe e të gjithë qytetarëve të Tiranës, vuajnë nga obeziteti, çka përkthehet në sëmundje kardiovaskulare, në jetë më të shkurtër, në kosto për shëndetin etj. Kjo nuk shkon! Çdo qindarkë e investuar në sport është shumë më pak nga ajo çfarë do na duhet të investojmë nesër për të kuruar një jetë të pa shëndetshme," – u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës do të ndihmojë çdo investim që bëhet për sportin, duke marr përsipër punimet dhe ndërhyrjet në infrastrukturë, për të siguruar aksesueshmërinë për qytetarët, përfshi rrugët, kanalizimet.