Ministri i brendshëm Saimir Tahiri ka urdhëruar nisjen e hetimeve për rrjedhjen e fotove në media të vajzave të arrestuara në kuadër të operacionit të koduar “Mustang”. Nga ky operacion ranë në pranga shtatë persona për shfrytëzim e ushtrim prostitucioni, e pikërisht publikimi i fotove të dy vajzave që ushtronin prostitucion do bëhet objekt hetimi.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në pranga janë vënë tre tutorët: 48-vjeçari N. Gj., 35-vjeçari B. M. dhe 32-vjeçari B. N. Ndërkohë, uniformat blu, gjatë operacionit arrestuan edhe dy klientët, 52-vjeçarin M. M. dhe 37-vjeçarin H. S., si edhe dy vajzat, 27-vjeçaren A. B. dhe 24-vjeçaren D. D., të cilat ushtronin profesionin.
Aktiviteti kryhej në hotele të ndryshme të Tiranës, të cilët do të proçedohen penalisht për vënie në dispozicion të ambienteve për ushtrim prostitucioni.





