TIRANË, 23 prill 2013- Tension dhe momente dhune kanë shoqëruar tentativën e përmbaruesve për nxjerrjen jashtë një godine të disa familjeve, që banonin prej vitesh në rrugën “Margarita Tutulani” në zonën e Tiranës së Re. 16 familje janë konfliktuar me policinë private dhe përmbaruesit, pasi nuk pranuan të lirojnë godinën. 

Situata është tensionuar dhe policia ka qëlluar në ajër për të shmangur përplasjen e mëtejshme.

16 familje që banojnë në një objekt pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” kanë refuzuar të dalin nga godina, pasi sipas tyre personi që pretendon pronësinë, ka dokumente të falsifikuara dhe sipas tyre është person me pushtet.

Sipas tyre, personi që disponon dokumentacion për ndërtesën ka qenë funksionar në Gjykatën e Lartë.

Ata kanë kundërshtuar daljen  nga  ndërtesa ku strehohen dhe kanë bërë me dije për shkak të konflikteve me uniformat blu  dy persona janë dërguar në spital pasi kanë humbur ndjenjat. Të pranishëm në ngjarje  ishin dhe 5 depuetë të majtë, midis tyre Sajmir Tahiri e Shegushe Ligori, të cilët kanë kërkuar llogari për ngjarjen.

Personi i cili pretendon të ketë pronësi mbi godinën ka deklaruar se e ka blerë me flori në vitin 1947. Ndërsa banorët që thonë se jetojnë aty prej 80 vitesh,  bëjnë me dije se pallati është e ndërtuar nga italianë, të cilët e ndërtuan këtë godinë për funksjone të tyre dhe pasi ata u larguan banorët u vendosën në ndërtesë. Brenda në ndërtesë ndodhen familje me fëmijë të moshës nën 1 vjeç.