Një person është plagosur me armë zjarri në banesën e tij në kryeqytet nga babai i vajzës me të cilën bashkëjetonte.

Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 në zonën e Linzës, në afërsi të “Thesarit”, ku i plagosur ka mbetur 33-vjeçari A.G., i cili është dërguar menjëherë në spital, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka bërë menjëherë kapjen e autorit të dyshuar, Besim Lata, dhe sipas hetimeve paraprake dyshohet se shkak ka qenë një mosmarrëveshje mes të dyve në lidhje me bashkëjetesën e të plagosurit dhe vajzës së autorit. Sipas policisë, Besim Lata ishte kundër kësaj lidhjeje.

Po ashtu, në këtë ngjarje është i përfshirë dhe një person i dytë, që është në kërkim.