Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar sot Prof. Luan Malltezin me titullin "Mjeshtër i Madh". Prof. Malltezi është dekoruar me motivacionin "Në vlerësim të punës së tij të palodhur dhjetëra vjeçare në fushën e studimeve historike përmes botimeve të shumta shkencore, si dhe për kontributin e shquar të dhënë si historian dhe drejtues i institucioneve shtetërore që mbulojnë fushën e historisë dhe trashëgimisë kulturore për nxjerrjen në pah dhe bërjen të njohur të fakteve dhe figurave të shquara historike në kohë të ndryshme për kombin tonë".
Në ceremoninë solemne të zhvilluar me këtë rast, kreu i shtetit theksoi kënaqësinë e veçantë "për të nderuar punën e palodhur të një profesori, një historiani e të një shkrimtari skrupuloz, i cili ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë me mendjen dhe penën e tij për ta mbrojtur dhe mbajtur gjallë historinë e hershme, mesjetare e moderne të shqiptarëve."
"Si drejtor i Muzeut Kombëtar, ai diti të kontribuojë dhe arkivojë pjesë të historisë së popullit shqiptar, duke synuar dhe depolitizimin e këtij institucioni të rëndësishëm kombëtar. Muzeu Kombëtar pati një hov të ri cilësor, duke u bërë më i afrueshëm dhe tërheqës. Prof. Malltezi pati shansin e mirë të jetë pjesë e organizimit shtetëror me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë. Në një bashkëpunim të veçantë me Muzeun Historik të Vjenës u mundësua, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, sjellja e shpatës dhe përkrenares së heroit tonë kombëtar, Skënderbeu. Pikërisht me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së vendit, nën drejtimin e Prof. Malltezit, Muzeu Kombëtar u bë qendra e bashkimit të shqiptarëve nga të gjitha trojet shqiptare e diaspora," – vuri në dukje presidenti Nishani.





