Presidenti Bujar Nishani i uroi sot mirëseardhjen në Shqipëri, me një ceremoni zyrtare, presidentit hungarez Janos Ader, i cili po zhvillon një vizitë shtetërore dyditore në vendin tone.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve të të dy shteteve, presidenti Nishani dhe presidenti Ader, të shoqëruar nga delegacionet përkatëse, zhvilluan bisedimet zyrtare, ku vlerësuan marrëdhëniet historike e të shkëlqyera mes dy vendeve si në nivel dypalësh, ashtu edhe në nivel rajonal e shumëpalësh.

Një vëmendje e veçantë në këto bisedime iu kushtua procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe forcimit e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

Presidenti hungarez Ader ritheksoi vijimin e mbështetjes së plotë të Hungarisë ndaj integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ndërsa, përsa i përket thellimit të marrëdhënieve, kreu hungarez i shtetit bëri me dije vendosjen së shpejti të një linje ajrore direkte fluturimi mes Budapestit dhe Tiranës. Po ashtu, në kuadër të protokollit dyvjeçar të arsimit, Hungaria do të ofrojë 20 bursa studimi për të rinjtë shqiptarë.

Në prani të dy presidentëve, u nënshkrua Programi i Bashkëpunimit në Fushën e Shkencës dhe Arsimit ndërmjet Ministrisë së Burimeve Kombëtare të Hungarisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë nga ambasadori hungarez Antal Heizer dhe ministrja Lindita Nikolla.