Presidenti Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri. Siç njofton institucioni i Presidentit të Republikës, presidenti Nishani përshëndeti rolin personal të Ahmetit në drejtimin e Komunës së Prishtinës si dhe vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e tij serioz në përmirësimin e përditshëm të jetës së qytetarëve të kryeqytetit të Kosovës.
Kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu progresin e bërë nga Kosova që nga dita e shpalljes së pavarësisë, duke evidentuar në mënyrë të veçantë intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy shteteve në të gjitha nivelet.
Duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë, presidenti i Shqipërisë theksoi se është shumë e rëndësishme që progresi i bërë deri tani nuk duhet të pengohet nga lufta politike. "Trajtimi i çështjeve shumë madhore për të ardhmen e Kosovës, si ato të asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe të demarkacionit kufitar me vendet fqinje, duhet të trajtohen nga ekspertët e të zgjidhen me maturi politike e qasje të përshtatshme juridike," – citohet të ketë thënë presidenti Nishani.
Ndërkohë, Ahmeti nga ana e tij e informoi presidentin Nishani mbi praktikat antikorrupsion të instaluara në Komunën e Prishtinës, si dhe mbi këndvështrimin e tij dhe të forcës politike që përfaqëson mbi zhvillimet dhe klimën politike në Kosovë.
Në fund të takimit, presidenti Nishani e garantoi Ahmetin për angazhimin e tij personal, si dhe të të gjitha strukturave të shtetit shqiptar në mbështetje të Republikës së Kosovës në të gjitha hapat e saj drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe ato rajonale.





