Presidenti Bujar Nishani, i pranishëm në konferencën me temë “Rrugëtimet e Paqes, Integrimit dhe Bashkëpunimit”, që u zhvillua në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë, ka theksuar rolin nxitës të bashkëpunimit që luan Shqipëria dhe shqiptarët në rajon.
“Ne shqiptarët kemi qenë, mbetemi dhe do të jemi promovues të rëndësisë që ka dimensioni i bashkëpunimit si një e mirë e përbashkët, dhe një aset e cili nuk izolon dhe nuk shmang askënd, përkundrazi i përfshin të gjithë, – tha presidenti Nishani. – Ne shqiptarët, si komb dhe si vend, kemi përvojën tonë pa dyshim, edhe të integrimit. Kemi pasur për fatin e keq eksperienca shekullore të pushtimeve dhe ndarjes nga bota e zhvilluar dhe e civilizuar dhe për rrjedhojë kemi vuajtur pasojat e prapambetjes, të tendencës për të rrezikuar humbjen e identitetit tonë kombëtar dhe ka qenë një binom në këtë proces të pashkëputur Fe-Atdhe, të cilat kanë bërë të mundur ruajtjen e dimensioneve kryesore që i kanë shërbyer identitetit tonë kombëtar.”
Kreu i shtetit u shpreh se shqiptarët kanë pasur për fatin e keq eksperienca të hidhura të mungesës së mundësisë për integrim gjatë izolimit të paimagjinueshëm të një diktature komuniste, e cila tentoi të shkatërronte dhe të bënte inekzistente jo vetëm besimin tek feja, por dhe vet konceptin e besimit, të bënte të pavlefshëm dhe mjaft të dobët konceptin e atdheut në raport me ideologjinë dhe natyrisht shqiptarët arritën të rezistonin duke ruajtur edhe fenë, edhe atdheun.





