Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot, në prezencë edhe të kryeministrit Edi Rama, projektin e sheshit "Skëndërbej", i cili do të përfundojë në qershorin e vitit 2017. Tirana do të ketë një shesh të sajin qendror të dedikuar tërësisht këmbësorëve dhe që me gurët dhe bimësinë që do të popullohet, do të simbolizojë të gjitha krahinat shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Projekti i prezantuar do të realizohet në 12 muaj dhe do ketë shtrirje sipërfaqësore që do të përfshijë brenda edhe pjesë të Unazës së Vogël. Është menduar dhe planifikuar një ndarje e sipërfaqes të projektit në 11 lulishte te vogla të ndryshme. Në secilën nga këto lulishte do të punohet në mënyrë të pavarur, në mënyrë që me realizimin e secilës prej tyre qytetarët të kenë akses përdorimi, pa qenë nevoja të presin 12 muaj, të përfundimit të të gjithë projektit.
Kryeministri Rama, gjatë prezantimit të projektit, tha se "sheshi është identiteti i një vendbanimi dhe i një komuniteti dhe është pika e referimit të individit në raport me të tjerët." "Sheshi është vendi që e bën një bashkësi individësh, një komunitet. Sheshi është vendi që i bën familjet që jetojnë secila brenda mureve të shtëpive të tyre të ndërveprojnë sëbashku. Sheshi është vendi që i bën fëmijët e një vendbanimi ta perceptojnë njëri-tjetrin si pjesë të jetës së tyre, – tha kreu i ekzekutivit. – Një qytet pa shesh si Tirana është në fakt një qytet pa komunitet, një qytet identiteti i të cilit është goditur mu në zemrën e vet. Në vend të një sheshi, ne kemi një zgjidhe shkel e shko, për të siguruar kalimin e makinave dhe një udhëkryq ku njerëzit nuk kanë asnjë sekondë për të qëndruar e për t’u takuar me njëri-tjetrin, po ku vetëm duhet të vrapojnë për të kaluar rrugën, ndërkohë që makinat presin të vazhdojnë rrugën."





