Qeveria dha një fond prej 573 milionë lekësh për shpronësimin e pronarëve të truallit dhe të ndrtesave ku po ndërtohet bulevardi, pjesë e projektit të rikonstruksionit dhe rinovimit të unazës së vogël të Tiranës. Ky fond, që kap vlerën e rreth 4 milionë eurove, u dha nga qeveria për shpronësimet në favor të Bashkisë së Tiranës, e cila është dhe realizuesja e projektit.

Në vendimin e qeverisë thuhet që, kompensimi për çdo pronar të bëhet sapo të ketë paraqitur dokumentacionin e plotë në bashki.

Ndër të tjera, në mbledhjen e tij, Këshilli i Ministrave miratoi në parim dokumentin për ndryshimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Sipas njoftimit zyrtar, marrëveshja në fjalë ka të bëjë me financimin e projektit të burimeve ujore në vendin tonë.

Gjithashtu, ekzekutivi miratoi vendimin për përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave, pagesave dhe kuotave financiare të ushqimit në mensa e konvikte. Vendimi në fjalë përfshin nxënësit dhe studentët në institucionet arsimore publike për vitin shkollor 2015 – 2016.