Këshilli i Ministrave ka shkakruar sot Altin Jakun nga detyra e prefektit të Qarkut të Lezhës, duke e zëvëndësuar atë me Eduard Ndrecën. Pavarësisht se qeveria nuk dha asnjë shpjegim për këtë vendim të marrë prej saj, gjasat janë që arsyeja e shkarkimit të Jakut të ketë qenë publikimi që ai i bëri mesazheve telefonike të shkëmbyera mes tij dhe deputetit socialist Eduard Ndocaj, mesazhe të cilat përmbanin sharje dhe ofendime banale.

Njëkohësisht, qeveria vendosi edhe emërimin e tre zëvëndësministrave të rinj. Në këtë mënyrë, Bahri Shaqiri është emëruar në detyrën e zëvendësministrit të transportit dhe infrastrukturës, Adela Shera Karapici është emëruar në detyrën e zëvendësministres së zhvillimit ekonomik, turizmit, tregtisë dhe sipërmarrjes, ndërkohë që Roni Telegrafi është emëruar zëvendësministër i bujqësisë, zhvillimit rural dhe administrimit të ujërave.