Qeveria ka vendosur t’i japë fund problemit të borxhit të 5425 ish-ushtarakëve, të cilët janë debitorë pranë Institutit të Sigurimeve për pensionet që kanë marrë më herët.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, që u bë publik nga ministri i Mirëqenies Blendi Klosi, është vendosur që të falet shuma prej 984 milionë lekë borxhe. Klosi theksoi se falë vendimi asnjë ish-ushtaraku nuk do i mbahet më asnjë qindarkë nga pensioni i çdo muaji. Një vendim i qeverisë së shkuar i detyronte të kthenin mbrapsht një pjesë të pensionit që kishin marrë më herët, për shkak të rishikimit të shumës së pensionit mujor.
“Për plot 10 vjet, që nga viti 1999 në vitin 2009, ushtarët në rezervë apo në lirim, janë trajtuar me pagesa kalimtare, pensione të parakohshme, apo përfitime të tjera suplementare. Por, në këtë hark kohor 10 vjeçar, ligjet kanë ndryshuar të paktën 4 herë dhe më pas janë kundërshtuar nga Gjykata Kushtetuese të cilat janë shfuqizuar nga kjo gjykatë.
Për pasojë, 5425 ish ushtarakë, sot janë debitorë ndaj shtetit shqiptar. Qeveria e kaluar, jo vetëm nuk ofronte dinjitetin e nevojshme për këta burra e gra që kanë sakrifikuar për Shqipërinë, por u kërkonte atyre borxhin, duke i mbajtur atyre para nga pensioni i tyre i përmuajshëm.
Në vitin 2013, qeveria jonë premtoi se do të zgjidhte hallin e këtyre ish ushtarakëve dhe sot kam kënaqësinë të njoftoj në emër të Këshillit të Ministrave që e mbajtëm premtimin duke miratuar projektligjin për faljen e detyrimeve që kanë ish ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare.
Në mbështetje të këtyre kërkesave, sot qeveria shqiptare do të falë 984 milionë lekë borxhe që ish ushtarakët u detyrohen shtetit shqiptar. Falë këtij projektligji, asnjë ish ushtaraku nuk do i mbahet më asnjë qindarkë nga pensioni i çdo muaji”, shprehet ministri në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë.
Po ashtu, sot janë votuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave edhe një sërë vendimesh të tjera të rëndësishme që synojnë të rrisin mbështetjen sociale ndaj shtresave në nevojë:
“Konkretisht, kemi marrë vendimin për të rritur me 60% pagesën bazë të papunësisë, e cila nga 6850 lekë në muaj, bëhet sot 11 mijë lekë në muaj apo 110 mijë lekë të vjetër. Ky është një vendim tejet i rëndësishëm, jo vetëm për shkak të shifrës 60%, por edhe pasi kjo rritje ndodh për herë të parë pas shumë vitesh që kjo pagesë ka qënë e niveleve të ulëta. Falë rritjes prej 60 % të nivelit bazë të pagesës së papunësisë, Shqipëria përmbush edhe detyrimin që lind nga konventa ndërkombëtare e ILO-s në të cilën thuhet se pagesa e papunësisë duhet të jetë të paktëm sa 50% e pagesës minimale në shkallë vendi”, u shpreh Klosi.