Ka përfunduar sërish në një përplasje të dhunshme me policinë protesta e radhës e shoqërisë civile tek Parku i Liqenit, kundër ndërtimit të këndit të lojrave. Policia ka kundërshtuar tentativën e aktivistëve të shoqërisë civile për të futur në park disa çadra, çka sjellë përplasjen mes tyre. Për pasojë nje policë bashkiak dhe një përfaqësues i shoqërisë civile kanë humbur ndjenjat dhe janë transportuar me urgjencë në spital.
Aktivistë e shoqërisë civile ishin mbledhur për të disatën herë për të kundërshtuar këtë projekt të bashkisë, që sipas tyre është bërë në shkelje flagrante të ligjit dhe pa u konsultuar me qytetarët. Ata thanë se do të vendosnin çadra për ruajtjen e parkut, ndërsa kanë shtuar se dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e kësaj krize. "Bashkia ka humbur arsyen, ne nuk jemi vandalë. Dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e kësaj krize. Nuk mund të ndërtohet pa pyetur qytetarët. Veliaj nuk tërhiqet se ka frikë," – u shprehën aktivistët.





