Bashkia e Tiranës nuk ka kompetencë për vlerën e kompensimit të banesave, që janë prekur nga ndërtimi i “bulevardit të ri” të kryeqytetit. Përballë thirrjeve të dhjetëra qytetarëve, të cilët kërkojnë që të kompensohen në vlerën e duhur për prishjen e banesave të tyre pranë stacionit të trenit, drejtori i projekteve strategjike Genc Kojdheli thotë se "Bashkia nuk mund të përcaktojë çmimet e shtëpive të tyre pasi kjo gjë është bërë nga qeveria."

"Institucionalisht, Bashkia e Tiranës nuk ka kompetencën që t’i hyjë një procesi të rivlerësimit të vleftës së pasurisë. Pra, se me çfarë vlere do të shpronësohen këto toka nuk është kompetencë e jona ta vendosim. Në fakt, sipas ligjit, kjo bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe ky vendim ka dalë që në vitin 2013," – tha Kojdheli.

Pronarët e truallit dhe të banesave nuk janë dakord me vlerën e përcaktuar me vendim qeverie nga ish-kryeministri Sali Berisha në vitin 2013. Në protestën që bënë më 25 shkurt, duke bllokuar aksionin e IKMT, ata u shprehën se nuk kanë marrë dëmshpërblimet e nuk kanë mundësi për të siguruar të ardhura të tjera. Kundërshtimi i vlerës së kompensimit ka sjellë përplasje të herëpashershme të banorëve të kësaj zone, teksa në disa raste është ndërhyrë edhe me forcë për të mundësuar shembjen e ndërtesave. Por, drejtori i projekteve strategjike thotë se ka pasur një VKM të qeverisë “Berisha” dhe më pas një VKM të qeverisë “Rama”, dhe roli i bashkisë është që të vërë në jetë këto VKM.