Agjencia Kombëtare e Turizmit ka prezantuar para investitorëve italianë projektin "Via Egnatia", përmes së cilit kjo rrugë e lashtë e ndërtuar rreth 2 000 vite më parë synohet të kthehet në një destinacion turistik, çka do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të zonës. Prezantimi i projektit u bë në Hotel “Tirana International” në kuadër të hapjes së panairit Expo Sud Italia, ku të pranishëm ishin edhe ambasadori italian Alberto Cutillo. Përmes Expo Sud Italia 2016 synohet të tërhiqet vëmendja në Itali dhe Shqipëri mbi projektin më të fundit turistik të qeverisë shqiptare për të përfshirë Via Egnatia ndër itineraret turistike parësore të vendit dhe për këtë qëllim nisma tregtare është shtrirë edhe në qytetet e Durrësit dhe Elbasanit, të cilat ndodhen në kilometrat e para të arteries së rëndësishme të periudhës romake që lidhte Romën me Bizantin.
Tre qytetet pranë të cilave zhvillohet promovimi – Tiranë, Durrës, Elbasan – prekin rrugën e lashtë Via Egnatia. Kjo synon ofrimin e një mbështetjeje ideale për vëmendjen e qeverisë shqiptare për të përfshirë arterien e rëndësishme të periudhës romake në pikat turistike prioritare dhe ta rigjallërojë me projekte të bashkërenduara nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Për këtë, Auron Tare, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, tha se "Via Egnatia është një rrugë e cila u ndërtua mbi 2 000 vite më parë nga ushtritë romake." "Përveçse një rrugë ushtarake ka qënë edhe një rrugë tregtare. Roma zhvilloi tregtinë në Ballkan e më gjerë nëpërmjet rrugës Egnatia, por edhe politika e diplomacia u zhvilluan edhe në këtë rrugë. Edhe prezenca e ambasadorit Cutillo është domethënës, sepse shumë ambasadorë kanë ecur në rrugën Egnatia për të bërë bisedimet diplomatike,” – tha Tare.
Në projektin e paraqitur synohet të vendosen tabela që tregojnë historinë e kësaj rruge, por edhe monumente historike. Via Egnatia është një intinerar i ndjekur nga një sërë figurash historike si Pompei, Cezari apo apostulli Shën Pali.





