TIRANE – Një person ka terrorizuar banorët e rrugës “5 Maji”, në Tiranë, duke qëlluar në ajër me një armë tip automatik. Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës në afërsi të zonës së Medresesë, ndërkohë që mbeten ende të paqarta arsyet e këtij veprimi.
Pasi ka zbrazur karikatorin në ajër, autori identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është mbyllur në banesën e tij. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë rrethuan zonën dhe pas negociatave që zgjatën rreth 30 minuta, arritën ta bindin atë të vetëdorëzohet.
Banorët e zonës, të përfshirë nga paniku, u mbyllën të terrorizuar në shtëpitë e tyre. Fatmirësisht nuk ka patur asnjë të lënduar. Ende nuk dihet motivi që e ka shtyrë këtë person të terrorizojë qytetarët, ndërkohë që policia pritet të zbardhë tërësisht ngjarjen.





