Një program i ri asistence teknike, i sponsorizuar nga USAID dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), do të rrisë eficiencën në mbledhjen e taksave në Shqipëri, do të përmirësojë klimën e biznesit dhe do të nxise një transparencë dhe eficiencë më të madhe. Programi do të zbatohet nga Korpusi i Vullnetarëve të Shërbimeve Financiare (FSVC) dhe nga Aleanca e Vullnetarëve për Rritjen e Ekonomike (VEGA). Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe i ngarkuari me punë i Ambasadës se SHBA, David Muniz, njoftuan për fillimin e këtij programi në një pritje me disa nga bizneset më të mëdha dhe më të rëndësishme në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Muniz theksoi rolin e rëndësishëm të DPT për bizneset. "Është tepër e rëndësishme të nxitet një klimë e ndershme biznesi, duke bërë të sigurt që të gjitha bizneset të funksionojnë sipas, dhe t’u nënshtrohen, të njëjtave rregulla… Për më tepër, rritja e aftësisë së DPT-së për të hetuar subjektet që shmangin detyrime të mëdha tatimore, do të çojë në lehtësimin e barrës për bizneset që zbatojnë ligjin, duke ndihmuar Qeverinë e Shqipërisë t’i përqëndrojë auditimet në bizneset me rrezikshmëri të lartë," – tha ai.
Kryeministri Rama tha se "riorganizimi i nisur ka sjellë një rritje shumë të konsiderueshme të të ardhurave." "Faktikisht, nëse marrim në vlerë absolute vetëm 9 mujorin e vitit të shkuar, që ishte një vit jashtëzakonisht i vështirë për shkak të planifikimit të bërë me ambicie dhe me optimizëm të madh dhe konjukturës ndërkombëtare të çmimit të naftës, apo të konjukturës së brendshme të prodhimit të energjisë, gjithsesi patëm 34 milionë euro më shumë sesa në 2014 dhe 242 milion euro më shumë se në 2012, që ishte edhe viti më i mirë në mbledhjen e të ardhurave, përpara se ne të merrnim detyrën, – tha kryeministri Rama. – Nga ana tjetër të mos harrojmë që në 2013, ne trashëguam një borxh të fshehur prej 720 milionë dollarësh, që ishte një borxh pikërisht ndaj kompanive. Kompanive të keqtrajtuara nga administrata tatimore, por të abuzuara edhe nga qeveria, që iu kishte marrë 720 milionë dollarë, për të kredituar fushatën e vet elektorale. Brenda dy vitesh, ne shlyem këtë borxh 8 vjeçar, si një gur themeli për një marrëdhënie të re me sipërmarrjen. Nëse sot kemi një tregues të borxhit prej 69,9 %, po të përjashtojmë shumën e detyrimeve të prapambetura të shlyera, treguesi i borxhit është 64,6 %. Ajo që mbetet sfida e madhe dhe që e bën kaq të rëndësishme edhe ditën e sotme dhe që e beri të pashmangshëm edhe praninë time këtu, për t’i dhënë maksimumin e mbështetjes këtij ndërveprimi, me praninë dhe mbështetjen e USAID, është operacioni kundër informalitetit. Falë këtij operacioni, ne kemi sot, 33% më shumë biznese aktive sesa kishim dy vjet më parë; Falë këtij operacioni, sot regjistrojmë 627 mijë të punësuar, ndërkohë që 2 vjet më parë kishim vetëm 471 mijë; Falë këtij operacioni, ne kemi mundur të bëjmë edhe disa hapa shumë të rëndësishëm për të lehtësuar biznesin e vogël dhe mund të bëjmë edhe hapa të tjerë për të lehtësuar më tutje sipërmarrjen."