Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 25 mars 2025 në rrugën “Mustafa Gaxheri”, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në ambientet e jashtme të një lokali.

Si autor i dyshuar është identifikuar dhe shpallur në kërkim R. M., 47 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka precedentë të mëparshëm penalë.

Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar veshjet e përdorura nga autori ditën e ngjarjes, si dhe biçikletën me të cilën u largua pas vendosjes së eksplozivit.

Forcat e rendit po vijojnë punën për kapjen e 47-vjeçarit dhe zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.