Tiranë, 26 qershor 2014 – Një ngjarje e rëndë është shënuar në zonën e ish-Bllokut në Tiranë ku është qëlluar me armë biznesmeni Artan Santo.
Ekzekutimi është kryer në mes të ditës rreth orës 09:30 në zonën e ish-bllokut në Tiranë, në momentin që Artan Santo ka qenë duke dalë nga banka Credins, ku ishte aksioner.
Dyshohet se dy persona me motor dhe të maskuar kanë qëlluar me armë gjashtë herë ndaj biznesmenit, ndërsa një plumb në kokë dyshohet se i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Burime nga policia bëjnë të ditur se motori i autorëve ishte i llojit “Scooter” me dy numrat e fundit të targës 09.
Pritet të zbardhen pamjet filmike që kamerat e sigurisë së bankës “Credins” dhe bizneseve aty pranë kanë regjistruar në momentet e krimit.
Policia ka nisur hetimet per ngjarjen, nderkohe qe eshte bere rrethimi i zones. Aktualisht në zonën e Liqenit artificial dhe gjithë akset që lidhin këtë liqen janë ngritur postblloqe, nderkohe qe njësi speciale janë duke ushtruar kontrolle për kapjen e autorëve.
Roja, deshmitari kyç: Santo bisedoi me atentatoret para se ta vrisinin
Roja i sigurisë i cili ka parë të gjithë ngjarjes është dëshmitari kyç i këtij ekzekutimi pasi sipas dëshmisë së tij paraprake ka deklaruar se ka dëgjuar një bisedë mes biznesmenit dhe atentatorëve.
Ka qenë e pamundur për të ndërhyrë me ndihmën e parë pasi biznesmeni ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Kush ishte biznesmeni Artan Santo
58-vjeçari, Artan Santo, njihet si drejtori i bankës së parë shqiptare të nivelit të dytë, Credins Bank. Bankë, e cila u krijua në vitin 2001 nga një grup profesionistësh në fushën bankare. Ishte nisma e parë e biznesit shqiptar i cili kaloi nga kapitali tregtar në atë financiar.
Santo, është babai i dy fëmijëve, Emi 28 vjeç dhe Egi 26 vjeç.
Eksperienca e tij e parë si drejtues ka qenë në moshën 23-vjeçare. Me përfundimin e Fakultetit ekonomik, në vitet 1976-1979 pas diplomimit si ekonomist kontabël.
Santo emërohet kryerevizor në ndërmarrjen tregtare industriale. Në vitin 1984 punon në Institutin e Studimeve Ekonomike, në sektorin e ekonomisë botërore në rolin e bashkëpunëtorit tekniko-shkencor dhe qëndron në atë pozicion për rreth 5 vjet.
Artan Santo, njihet edhe si drejtuesi që bëri kthesën në Bankën e Kursimeve. Në korrik të 97-ës. Kohë në të cilën Santo emërohet drejtor i përgjithshëm i kësaj banke, bilanci financiar i saj ishte me një humbje prej 6.6 miliardë lekësh. Pas largimit në vitin 2000 nga ky post rezultati financiar i bankës ishte 6 miliardë lekë fitim.
Biznesmeni Artan Santo nga viti 2009 e këtej njihet edhe si aksionier në dy grupe mediatike, fillimisht Televizion Scan me përmbajtje kryesisht ekonomike dhe në pas në 2011, grupi mediatik informativ i News 24, me Gazetën Shqiptare, Radio Rash dhe Balkanweb të cilët nga viti 2011 u bënë pronë e kompanisë shqiptare Focus Group SHPK, e themeluar nga Artan Santo dhe Irfan Hysenbelliu
Por më herët Artan Santo njihet edhe si protagonist në filmin "Guximtarët". Në një moshë mjaft të re, Santo luan në këtë film rolin e “qullacit”, një djalë i vogël që ishte aq dobët në fizkulturë, sa nuk kalonte dot as kaluçin. Por në fund të filmit, falë përpjekjeve të mëdha të tij, djali i vogël e kalon kaluçin. Në një intervistë dhënë disa vite më parë, vetë artan Santo u shpreh se edhe jeta e tij ka qenë e ngjashme me atë film.
Curriculum Vitae
Emri: Artan
Mbiemri: Santo
Datëlindja: 7 shtator 1956
Vendlindja: Tiranë
Arsimimi
1976-1979 – Fakulteti i Ekonomisë, diplomohet ekonomist kontabël.
1981-1987 – Fakulteti i Shkencave Politike –Juridike, diplomohet jurist.
Eksperienca e punës
2003-2004 e në vazhdim: Drejtor ekzekutiv i Credins Bank.
2001-2002 Instituti Financiar Credins, drejtor i kreditit.
1997-2001 Banka e Kursimeve, drejtor i përgjithshëm.
1994-1997 Banka e Kursimeve, drejtor i Drejtorisë së Huave me Probleme.
1993-1994 Banka e Kursimeve, zv.drejtor i përgjithshëm, drejtor i Degës Tiranë.
1992-1994 Banka e Kursimeve, zv.drejtor i përgjithshëm – drejtor i Kreditit.
1991-1992 Banka e Kursimeve, specialist krediti.
1989-1990 Banka e Shtetit Shqiptar, shef i sektorit studimor në Drejtorinë e Kambizmit
1990-1991 Banka e Shtetit Shqiptar, zv.drejtor i Drejtorisë së Jashtme.
1984-1991 Instituti i Studimeve Ekonomike, Sektori i Studimit të Ekonomisë Botërore bashkëpunëtor tekoniko – shkencor.
1981-1984 Ndërmarrja Tregtare Industriale Tiranë, kryerevizor.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





