1 shtator 2015 –  Kompania kanadeze  Tirex Resources Ltd (Tirex) njoftoi të martën, më 1 shtator 2015, se ka nënshkruar marrëveshje me Shërbimin Gjeologjik Shqiptar për bashkëpunim në studimet metalurgjike për depozitën e bakrit të pasur me zink në Koshaj të Mirditës.

Ky bashkëpunim do të përfshijë ri-hapjen e punimeve nëntokësore në Koshaj, si dhe mbledhjen dhe dërgimin e mostrave në një laborator ndërkombëtar për testet metalurgjike. Meqenëse  Tirex-i nuk ka specialistë teknikë për këtë punë specifike në vend, sipas Marrëveshjes Shërbimi Gjeologjik Shqiptar do të realizojë mbikëqyrje teknike në ri-hapjen e punimeve nëntokësore, në mbledhjen e mostrave dhe sigurinë teknike të vendit të punës. Personeli i Tirex-it do të vendosë se ku do të merren mostrat dhe do të mbikëqyrë mbledhjen e mostrave.

Tirex, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë parashikojnë se rezultatet e testeve mund t’i hapin rrugën shfrytëzimit të vendburimeve të bakrit të pasura me zink në vend, pasi mineralet e zinkut nuk janë rikuperuar asnjëherë nga operacionet minerare historike.

Koshaj është një depozitë masive vullkanologjike sulfide bakri të pasur me zink, që ndodhet në Mirditë, e njohur historikisht për prodhimin e bakrit. Edhe pse miniera u ndërtua plotësisht dhe ishte gati për nxjerrje minerali në vitet 1990, deri tani ajo nuk u vu në punë. Koshaj ka rezerva prej 707 592 tonë me 0.98% bakër, 3.88% zink dhe 0.71 g/t ar me një zonë me nivel të lartë bakri dhe zinku prej 388 164 tonë (4.21% zink, 1.19% bakër dhe 0.95g/t ar). Depozita mbetet e hapur për zgjerim.

Info

Tirex Resources  Ltd(Tirex), e themeluar në Shqipëri më 10 korrik 2006 si  Tirex Explorations  shpk ka si objekt në aktivitetin e vet investime në burime natyrore, kryerjen e aktivitetit minerar si aktivitetin e kërkimit, eksplorimit dhe shfrytëzimit të mineraleve në zonat minerare, miniera sipërfaqësore dhe nën-sipërfaqësore (nëntokë), import dhe eksport. Përveç kësaj, në përputhje me legjislacionin shqiptar, shoqëria mund të kryejë çdo aktivitet që lidhet direkt ose indirekt, që është rezultat ose lidhet me objektin e mësipërm. Për arritjen e qëllimit të mësipërm, shoqëria mund të kryejë çdo transaksion lidhur me pasuritë e luajtshme dhe te paluajtshme, dhe çdo aktivitet tjetër tregtar, financiar, qiraje ose hipoteke, që mund të konsiderohet i vlefshëm ose i nevojshëm në mënyrë që të ushtrohet objekti i shoqërisë.

/th. m. Portali DurresLajm/