Tiranë, 23 prill 2014 – Është përkujdesur të blejë një nga makinat më të shtrenjta në botë, por nuk ka marrë mundimin të nxjerrë patentën. Një 29-vjeçar nga Tirana ka përfunduar në prangat e policisë, pak minuta pas mesnate, pasi gjatë një kontrolli rutinë i riu është zbuluar se nuk ishte i pajisur me leje për drejtimin e mjetit. 

Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë se është arrestuar në flagrancë shtetasi Klodian Alliu, 29 vjeç, i akuzuar për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Alliu është ndaluar nga një postbllok i Policisë Rrugore teksa lëvizte përgjatë Rrugës Bardhyl, me “Ferrarin” e tij me targë AA 355 FI. 

Sapo është konstatuar se 29-vjeçari drejtonte automjetin pa patentë është arrestuar menjëherë, duke rrezikuar të kryejë 10 ditë burg. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/