Një spektakël boksi, muzike dhe bamirësie për të gjithë adhuruesit e dyluftimeve të forta dhe burrërore.

Mbrëmja e së dielës në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës i është rezervuar përballjeve të disa prej emrave më të njohur të boksit në qytetin bregdetar dhe rivalëve të tyre nga 10 vende evropiane.

“Kësaj here kemi goxha sportistë që vijnë nga shtete të ndryshme. Vijnë nga Amerika e largët, nga Franca, Gjermania, Rumania. Janë sportistë nga plot 10 shtete, që vijnë të ndeshen më 12 nëntor, në pallatin e sportit në Durrës. Do të ketë ndeshje boksi olimpik dhe ndeshje boksi profesionist dhe kikboks profesionist”,– thotë trajneri Kikrri për “DurrësLajm”.

“Këtë radhë ne po provojmë shumë nga djemtë tanë, janë fryt i palestrës sonë. Ata janë rritur këtu dhe janë sportistë elitarë, që do të ndeshen me rivalë nga Evropa. Të gjithë janë shumë në formë dhe shumë të përgatitur”,- thotë presidenti Shoshi.

Eventi “Titans fights 4” përveç spektaklit të boksit dhe muzikës, ka një kauzë shumë të ndjeshme sociale. Paratë që do të mblidhen nga shitja e biletave do të shkojnë për bamirësi, për “Shtëpinë e foshnjes” në Durrës dhe disa familje në nevojë.

Presidenti i klubit “Titans” Fred Shoshi dhe trajneri Enton Kikrri kanë rezervuar surpriza të shumta për të pranishmit, ndërkohë që kanë dhe një apel për të gjithë sportdashësit durrsakë.

“Këtë radhë kemi bërë diçka më të bukur. Kemi marrë Luiz Ejllin dhe Shkurte Fejzën. Por kemi dhe shumë surpriza të tjera që të pranishmit do të shohin atë natë. I them të gjithë popullit durrsak që do të jetë një spektakël shumë, shumë i bukur”.

“Të nxitojnë qytetarët, sepse biletat janë drejt fundit”,- thotë trajneri Kikrri.

Eventi sportiv “Titans fights 4” starton në orën 18.00, të dielën e 12 nëntorit.

M.B.