Napoli mund të shpallet sot kampion, nëse Lacio nuk ia del të fitojë përballë Monzës. Megjithatë, edhe nëse ndodh e kundërta të kaltrit luajnë nesër ndaj Udinezes dhe një pikë e mundshme, iu jep matematikisht titullin e tretë në histori.
Pasi dështuan të gjitha përgatitjet e fundjavës së shkuar për shkak të barazimit në shtëpi, Napoli nuk do të festojë titullin kampion as këtë mesjavë. Skuadra napolitane luan nesër në mbrëmje, teksa rikthimi në Napoli do të bëhet në orët e vona të natës. Kjo i ka stepur drejtuesit për faktin se në aeroport pritet të jenë me mijëra tifozë dhe në këtë mënyrë, skuadra do të kthehet në qytet në një moment të dytë. Tifozët do të kenë mundësi që të ndjekin ndeshjen në stadiumin “Maradona”, aty ku do të ketë ekrane gjigande për të mundësuar transmetimin e ndeshjes. Ndërkohë, festa zytare për titullin kampion do të bëhet fundjavën e ardhshme. Napoli do të presë në shtëpi Fiorentinën dhe kjo do të jetë pikërisht ndeshja ku edhe do të festohet titulli kampion.
Pas ndeshjes, festa do të jetë në qytet pavarësisht se presidenti De Laurentis kë njoftuar se do të festohet vetëm në stadium. Ky i fundit, ka vendosur të mos udhëtojë në drejtim të Udines, por do ta ndjekë ndeshjen në “Maradona” së bashku me tifozët.





